Njerëzit e sigurt emocionalisht ndihen mirë me veten dhe bëjnë gjithmonë gjërat që kanë vërtet kuptim për ta. Në një artikull të CNBC, një psikolog i trajnuar në Harvard ka zbuluar disa nga frazat që përdorin në përditshmëri njerëzit me vetëbesim të lartë.

Janë 9 fraza tek të cilat edhe mund të gjeni veten, ose nëse jo, përpiquni t’i përdorni më shpesh!

-“Më lejo të mendoj për këtë përpara se të përgjigjem.”

Një njeri me vetëbesim është padyshim një i artikuluar mirë. Ata i zgjedhin përgjigjet e tyre me kujdes dhe nuk janë impulsivë në reagimet e tyre.

Fraza të ngjashme me atë më sipër:

“Jam shumë i frustruar dhe kam nevojë për pak kohë. Nuk dua të them diçka për të cilën mund të pendohem më vonë.”

“Nuk kam përgjigje për momentin. A mund të flasim nesër?”

-“Jo.”

Një person i sigurt me veten, e ka shumë të thjeshtë të vendosë kufij. Kjo sepse ai është i qartë në atë që do.

Fraza të ngjashme me atë më sipër:

“Më vjen keq, por nuk mund të ndihmoj me këtë sepse kam shumë angazhime të tjera.”

“Faleminderit për ofertën, por kjo nuk është diçka që më pëlqen ta bëj.”

-“Nuk ndihem mirë me këtë gjë…”

Ata gjithmonë flasin për gjërat që duan ose kanë nevojë, duke respektuar personin përballë. Por, nga ana tjetër nuk rrinë pa folur nëse dikush i bën të ndihen keq.

Fraza të ngjashme me atë më sipër:

“Më lëndon kur thua gjëra të tilla.”

“Nëse vazhdon të më trajtosh kështu, do të largohem.”

-“Kështu jam unë dhe jam krenare për veten!”

Këta lloj njerëzish janë të qëndrueshëm në gjërat që bëjnë dhe thonë. Duke pasur një cilësi të tillë, nuk janë kurrë surprizues pasi miqtë e të afërmit e dinë se çfarë presin prej tyre.

Fraza të ngjashme me të mësipërmen:

“Jam siç më sheh dhe siç ta them.”

“Kjo gjë mund të mos pëlqejë tek unë, por unë ndihem mirë kështu.”

-“A jam unë i/e tillë?”

Njerëzit e sigurt emocionalisht janë në gjendje të marrin në konsideratë kritikat pa u zemëruar. Nëse ti reagon negativisht ndaj tyre, nuk do e marrin kurrsesi personale, sepse kritikat i shohin si një mundësi për t’u përmirësuar.

Fraza të ngjashme me të mësipërmen:

“Nuk e kuptova që e bëja kaq shpesh. Faleminderit që e theksove!”

“Uau, mendoj se vërtetë e them shumë atë frazë!”

-“Unë do të punoj me këtë gjë”

Për t’u rritur profesionalisht dhe jo vetëm, një njeri duhet të kuptojë se ka dhe gjëra për të përmirësuar. Njerëzit me vetëbesim e dinë se të punosh me veten është çelësi dhe për marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët.

Fraza të ngjashme me të mësipërmen:

“Kam dëgjuar se kjo është e rëndësishme për ty, kështu që do të tregohem i kujdesshëm kur flas për këtë gjë.”

 “Nuk jam njeri shumë i durueshëm, do përpiqem ta përmirësoj.”

-“Më vjen keq që je në vështirësi. Si mund të të ndihmoj?”

Natyra e tyre empatike dhe jo-gjykuese në marrëdhënie i bën ata njerëz tek të cilët mund të mbështetesh pa u menduar dy herë. Ata e kuptojnë menjëherë kur dikush pranë tyre po kalon një ditë të keqe.

Fraza të ngjashme me të mësipërmen:

“Dukesh i mërzitur, do doja të të ndihmoja.”

“E di që është e vështirë për ty, por jam pranë teje.”

-“Kjo ka rëndësi për mua.”

Të kesh një sistem të fortë besimi është çelësi për të qenë të sigurt emocionalisht, sepse ai udhëheq zgjedhjet tona. Kur një vlerë shkelet, njerëzit emocionalisht të sigurt janë në gjendje të mbajnë një qëndrim për atë që ata besojnë se është morale dhe e drejtë.

Fraza të ngjashme me të mësipërmen:

“Mua më intereson vërtet kjo gjë.”

“Nuk mendoj se po vepron siç duhet dhe s’mund të rri duarkryq për një gjë që mendoj se është kundër parimeve të mia.”

-“Do të përpiqem!”

Njerëzit e sigurt emocionalisht kanë kultivuar një ndjenjë sigurie të brendshme që u thotë atyre se do të jenë mirë, edhe nëse një përpjekje e tyre dështon. Kjo i lejon ata të eksperimentojnë me gjëra të reja, të tilla si miq të rinj, udhëtime etj…

Fraza të ngjashme me të mësipërmen:

“Do ta provoj sërish!”

Ndoshta s’jam shumë i/e mirë në këtë gjë, por do e provoj.”/tvklan.al