Presidenti Ilir Meta thotë se nuk synon postin e Kryeministrit dhe as atë të kryetarit të opozitës deri më 24 Korrik 2022, ditë kur përfundon edhe mandatin si President.

Deri atë ditë, Meta thotë se projekti i tij është që të qëndrojë President i Republikës dhe lider i sovranitetit dhe unitetit kombëtar në mbrojtje të Kushtetutës.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit u shpreh se ka dalë në shesh dhe do vazhdojë të qëndrojë aty derisa të rivendoset sovraniteti i popullit në çdo institucion.

“Mos u lodhni kot me konspiracione! Jam Presidenti i Republikës dhe lider i sovranitetit dhe unitetit kombëtar, në mbrojtje të Kushtetutës, lirisë dhe demokracisë! Ky është projekti im i vetëm deri në 24 korrik 2022! Nuk synoj, as për Kryeministër, dhe as për kryetar opozite deri atëhere. Por nga 2 marsi unë kam zbritur në shesh dhe do të vazhdoj shesh më shesh, në të gjithë Shqipërinë derisa të rivendosim vullnetin e sovranit në çdo institucion.Po, qeveria duhet të ketë frikë nga populli, jo populli nga qeveria”, shkruan Meta.

Meta e shoqëron postimin e tij me një video nga manifestimi i 2 Marsit, ditë kur firmosi dekretin që kthen për shqyrtim ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Më pas, ai paralajmëroi mazhorancën se nëse nuk e merr parasysh këtë dekret deri më 15 Mars, atëherë do të shpërndajë parlamentin. Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryetarit të qeverisë, Edi Rama, sipas të cilit, Meta nuk e shpërndan dot parlamentin. /tvklan.al