SPAK dërgon kërkesën për ekstradim

Stela Gugallja, administratorja e kompanisë Alb-Tek Energy, e cila është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme si e pandehur në dosjen hetimore për inceneratorin e Elbasanit është ndaluar në Austri.

Tv Klan mëson se ndalimi i saj është bërë disa javë më parë, ndërsa një gjykatë në Vjenë është duke shqyrtuar kërkesën për ekstradim. Këtë proces, Gugallja po e ndjek në gjendje të lirë.

Avokati i biznesmenes, Klodian Skënderi në një komunikim me Tv Klan tha se nuk ka pasur arrestim të klientes së tij, por pasi i është komunikuar urdhër-ndalimi, Stela Gugallja ka vijuar me betejën gjyqësore duke e kundërshtuar ekstradimin.

Ndërkohë, SPAK tha zyrtarisht se me anë të Ministrisë së Drejtësisë i ka dërguar autoriteteve austriake kërkesën për ekstradim bashkë me akuzat që rëndojnë ndaj saj dhe ende nuk ka asnjë përgjigje.

Stela Gugallja akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në bashkëpunim me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin në dosjen e inceneratorit të Elbasanit, për të cilin janë marrë të pandehur disa persona, mes të cilëve ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako.

Zoto dhe Mërtiri janë ende në liri dhe dyshohet se ashtu si Gugallja, edhe ata ndodhen jashtë vendit.

Prokuroria e Posaçme i ka mbyllur hetimet për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit, duke çuar për gjykim 31 persona, ndërsa po vijon procedurat hetimore për inceneratorin e Tiranës.

Tv Klan