Intensifikohen negociatat për ligjin për PP-në

Intensifikohen negociatat për ligjin për PP-në

17:00 22/01/2020

Deskoska: Miratimi ose jo i ligjit varet nga vullneti i VMRO-DPMNE-së

Ministrja e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Renata Deskoska ka theksuar se gjasat nëse do të miratohet ose jo ligji për Prokurorinë Publike varet nga vullneti i opozitës. Ajo nuk ka përjashtuar mundësinë që ligji të miratohet edhe pa opozitën. Vërejtjet kryesore të opozitës, sipas ministres Deskovska, ngjajnë me “spin të qëllimshëm”.

“Ajo që mendoj se është ose lexim i keq ose ‘spin i qëllimshëm’ në raport me ligjin, në bazë të asaj që lexoj në media se prokurorë nga PSP-ja me qëllim kanë hyrë në Prokurorinë për ndjekje të krimit të organizuar, është absolutisht e pasaktë. Secili që do ta lexojë ligjin do ta shohë se praktikisht ligji parashikon rritje të numrit të prokurorëve në prokurorinë për krim të organizuar, për çka do të shpallet konkurs”.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se kanë rënë dakord që grupet e punës së pozitës e opozitës të kenë takim deri në fund të javës. Në këtë takim, sipas tyre do t`i prezantojnë vërejtjet.

“Shihet se në ligj, në dispozitat kalimtare dhe përfundimtare të këtij ligji, ka një mekanizëm që me shumë gjasë paragjykon bartjen e prokurorëve të deritanishëm nga stafi i Katica Janevës në prokurorinë e prokurores aktuale Vilma Ruskovska. Ne mendojmë se kontradiktat që i kanë ndjekur këta prokurorë dhe  kjo prokurori, posaçërisht marrja joligjore e honorarëve të larta, në kundërshtim me ligjin për shërbime prokuroriale dhe ligjin për paga, nuk do të duhej të japë trajtim të autorizuar për privilegj të tillë”.

Përfaqësues nga Bashkimi Evropian javën e kaluar rekomanduan se ligji për Prokurorinë Publike është mirë të miratohet para shpërndarjes së Kuvendit për shkak të zgjedhjeve më 12 Prill. Holanda dhe Franca këtë do ta konsiderojnë si test për lojtarët politikë në vend dhe për kapacitetin e tyre interesat shtetërore t’i vënë para atyre partiake. 

Tv Klan



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi