Parku i liqenit artificial nuk do të ofrojë më vetëm gjelbërimin, pistën e vrapit apo këndin e forcës, por edhe lundrim në internet përgjatë gjithë qëndrimit në këtë zonë. Bashkia e Tiranës së bashku me UNICEF dhe Albtelecom kanë mundësuar jo vetëm shërbimin e internetit por edhe siguri gjatë lundrimit për fëmijët, pasi përmbajtja online të filtrohet nga materialet e paligjshme dhe pornografia.

“I përdorur mirë mund të na sjellë dobi të jashtëzakonshme. Ajo që bëjmë ndryshe sot, në bashkëpunim me UNICEF-in dhe Albtelecom-in, është që këtë mjet ta përdorim vetëm për qëllime të mira. Interneti falas që do të përdoret në të gjithë këtë pedonale, buzë Liqenit, por edhe tek sheshi “Skënderbej”, është i filtruar me një soft “internet friendly”, i cili mund të përdoret vetëm për mirë dhe për mënyra të dobishme”.

Përfaqësuesi i kompanisë Albetelecom tha se ky bashkëpunim ul kostot e shërbimeve per komunitetin.

“Cilido qoftë roli ynë, qëllimi i përbashkët është të përmirësojmë stilin e jetës, të përmirësojmë jetën tonë. Dhe ne si kompani jemi të kënaqur që të bëjmë një donacion për internet pa pagese në këtë zonë kaq të këndshme”.

Ky shërbim do të shtrihet edhe në hapësira të tjera të kryeqytetit ku çdokush mund të lundrojë lirisht dhe në mënyrë të sigurt në internet.

Tv Klan