Opinion- Në vjeshtën e vitit 1996 shqiptarët filluan të magjepseshin nga modeli i një kapitalizmi krejtësisht të çuditshëm. Një kapitalizmi që të lejonte të qëndroje në shtëpinë tënde dhe të arrije fitime përrallore që nuk mund të arriheshin përmes punës dhe as përmes një biznesi mjaft fitimprurës. Rreth 850 mijë shqiptarë, sipas burimeve të shtypit në Shtator të vitit 1996 e siguronin jetesën e tyre relativisht luksoze falë firmave piramidale.

Vehbi Alimuça, një prej presidentëve të kompanive të mëdha rentiere të asaj kohe, e cila në Janar të 1997-ës kapi shumën e kursimeve 130 milionë dollarë ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion”.

Prej 10 vitesh ai vuan dënimin në burgjet shqiptare, aktualisht ndodhet në burgun e Peqinit, pas transferimit nga Tirana. Alimuça është dënuar me 20 vjet burgim për një sërë akuzash, kryesorja e të cilave është “përfitim përmes mashtrimit”. Presidenti i VEFA-s përmes emisionit ka rrëfyer për herë të parë pas 10 vjetësh për kompaninë e tij dhe se si u zhdukën 100 mijë dollarë.

“Dënimi im është 20 vjet, më shumë se çdo president tjetër i firmave huamarrëse. VEFA lindi zakonshëm në fillim të viteve 90-të. Unë fillova të kryeja disa biznese, fillova të merrja mallra industriale dhe ushqimore me shumë. Aktiviteti zhvillohej në Tiranë dhe më 1993 u regjistrua VEFA me përgjegjësi të kufizuar. Pas zhvillimit të aktivitetit me artikujt që tregtonim fitimi ka qenë shumë i lartë, ka qenë gati edhe 200%. U deshën disa muaj që të ndihesha milioner. Në vitin 1993 firma VEFA ka pasur 523 punonjës të siguruar në aktivitetet që në kryenim në agroblektori, industria ushqimore, rritja e shpendëve, shoqëri ajrore, detare, fabrika tulle, vere, birre, kombinate druri, sallami etj. Të gjitha këto erdhën rrjedhshëm.  Procesi i huamarrjes ka nisur në fund të vitit 1994 për arsye se gjërat po ndodhnin shumë shpejt, njerëzit kishin besim të jashtëzakonshëm në aktivitetin tonë dhe në vitin 1994-95 u punësuan 12 mijë persona. Kemi shtrirë aktivitetin në 27 rrethe të vendit. Në fund të 1993 unë kam pasur rreth 40 milionë dollarë xhiro të cilat janë të gjitha të pasqyruara. Më pas na lindi nevoja që të zgjeronim aktivitetin sepse e shikonim që prodhimi ecte dhe u drejtuam në bankat e kategorisë së dytë dhe nuk kishin mundësi të na ndihmonin. Huamarrja lindi më tepër si një dëshirë e dyanshme. Në asnjë rast unë nuk kam shkuar ti kërkoj para njeriu. Fillimisht e nisëm me huamarrje 6% , më pas me 8%. Në fund të 1994 deri në fund të 1996 zgjati ky aktivitet më pas u bë ndalimi me ligj i huamarrjes. Në fund të 1996-ës kemi pasur 296 milionë dollarë. Në fund të janarit të 1997 kemi pasur 92 mijë kreditorë dhe kemi vijuar likujdimet e kreditorëve deri më 26.6.1997, tre ditë përpara zgjedhjeve. Pas 1997 gjithçka u bllokua”, tha Alimuça./tvklan.al