Qiejt e Izraelit u ndriçuan nga mbi 180 raketa balistike të lëshuara nga Irani, një sulm hakmarrës për veprimet e Izraelit në rajon. Të paktën 10 milionë izraelitë u ngujuan në vendstrehime. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan shumicën e raketave iraniane dhe se vetëm “disa” prej tyre goditën zonat qendrore dhe jugore.

Pas sulmit të Iranit, forcat ajrore të Izraelit thanë se do të vazhdojnë të kryejnë sulme në mbarë Lindjen e Mesme. Irani thotë se është plotësisht i gatshëm për çdo kundërpërgjigje të Izraelit.

Dy persona u plagosën nga rënia e copëzave të raketave të shkatërruara në Tel Aviv. Ndërsa një tjetër u vra e disa të tjerë u plagosën pasi fragmente raketash ranë në qytetin palestinez Jericho në Bregun Perëndimor të pushtuar. Burimet e hapura dhe vetë Irani tregojnë se 80% e raketave të lëshuara goditën objektivat. Një prej pamjeve të qarkulluara në rrejt tregon goditjen e bazës ajrore Navatim. Aty raportohet për shkatërrimin e disa avionëve të gjeneratës së pestë model F35.

Gardat revolucionare e Iranit tha se në këtë sulm përdori për herë të parë raketat hipersonike ‘FATTAH’.

Palestinezët në Gaza dhe Bregun e pushtuar Perëndimor dhe libanezët në Bejrut festuan kur panë breshërinë e raketave balistike të lëshuara nga Irani drejt Izraelit. Ata u mblodhën në rrugët e shkatërruara të Khan Younis dhe bërtisnin “Zoti është më i madhi”.

Sirenat e alarmit u dëgjuan në mbarë Izraelin ndërsa shpërthimet mudn të dëgjoheshin në Jerusalem dhe në luginën e lumit Jordan. Jordania dhe Iraku mbyllën përkohësisht hapësirën e tyre ajrore pas sulmit. Izraeli gjithashtu ndaloi për pak kohë trafikun ajror, por rifilloi fluturimet pas përfundimit të sulmit.

Të paktën 180 raketa balistike u lëshuan nga Irani, të cilat panë mbi Tel Aviv dhe Jaffa (Xhafa). Sulmi zgjati rreth një orë dhe më pas ushtria izraelite lejoi qytetarët të dalin nga vendstrehimet. Një zyrtar iranian i Garda Revolucionare i tha agjencisë Reuters se kjo është hakmarrje për vrasjen e kreut politik të Hamasit, ImailHaniyehnë Teheran, kreut të HezbollahutHasanNasrallah dhe gjeneralit iranian Nilforoushan.

Urdhri për sulmin e së martës u dha nga vetë lideri suprem Ajatollahu Ali Khamenei.

Përpara lëshimit të raketave, Irani njoftoi partnerët ndërkombëtarë ashtu siç veproi dhe herën e kaluar. Por ndryshe nga një sulm i mëparshëm iranian mbi Izraelin në prill, raketat kësaj herë u lëshuan pak pas njoftimit, duke u dhënë Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj më pak kohë për të kapur predhat.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden “udhëzoi ushtrinë të ndihmojë mbrojtjen e Izraelit kundër sulmeve iraniane dhe të rrëzojë raketat me drejtim Izraelin”.

Klan News