Nëpërmjet avokatëve të tij, deputeti Ervin Salianji, iu drejtua këtë të martë edhe Gjykatës së Lartë me kërkesë për pezullimin dhe shtyrjen e zbatimit të vendimit të Apelit që e dënoi me një vit burg. Sipas mbrojtjes, ekzekutimi i këtij vendimi sjell pasoja të rënda për mandatin e deputetit, duke çuar në mbarimin e tij.

“I referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit.”

Avokati shton se dënimi është për një kallëzim publik, i cili në shkelje të ligjit, është konsideruar si kallëzim i rremë. Me këto argumente, kërkohet që ky vendim të pezullohet dhe ekzekutimi të shtyhet në një afat prej 3 muajsh. Salianji është në pritje të shqyrtimit të një tjetër kërkese bërë në Gjykatën e Tiranës të premten me të njëjtin objekt.

Ervin Salianji u gjet fajtor nga dy gjykata se kishte inskenuar bashkë me dy të akuzuarit e tjerë, një audio-përgjim që implikonte vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj në trafik droge.

Në një konferencë për shtyp, Salianji theksoi se është i dënuar politik me urdhër të Fatmir Xhafës dhe porosi të kryeministrit Rama.

Klan News