“Çdo gjë që po bëhet është kalkuluar me zgjedhjet e Nëntorit në SHBA”, kështu ka deklaruar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Berat Buzhala sa i përket konfliktit aktual në Lindjen e Mesme.

Pavarësisht mundësisë që ekziston për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, gazetari ngre hipotezën se këto sulme mund të jenë të lidhura me zgjedhjet në SHBA, duke pasur sipas tij, një prapavijë politike me kandidimin e ish-presidentit Donald Trump.

Berat Buzhala: Prej të gjitha organizatave që konsiderohet terroriste prej SHBA-ve, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallahu nuk bën pjesë në ata që janë radikalë për sa i përket religjionit, ky nuk e ka imponuar jetën islamike në Libanin Jugor siç e ka Irani.

Blendi Fevziu: Duket se Izraeli po fiton një pjesë të madhe të luftës edhe pse po tregohet i pamëshirshëm me bombardimet. Ka përdorur shumë inteligjencës, pra shërbimin sekret, duket se po rezulton më efikasi që njohim ne deri tani në historinë e shërbimeve sekrete.

Berat Buzhala: Patjetër, pa asnjë dyshim është shumë hapa para të tjerëve. Ajo që doja të thoja është se SHBA-të në fillim të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit e kanë ndaluar Izraelin. Sipas mediave dhe analistëve perëndimorë, ka kërkuar leje për vrasjen e Hassan Nasrallahut dhe SHBA-të nuk ia kanë dhënë lejen. Ajo se çfarë mbetet enigmatike për mua është se përse ky nxitim para zgjedhjeve në Amerikë, kur dihet që për Izraelin ardhja e Trumpit është më e favorshme, pse po përpiqet Izraeli për të eskaluar situatën kur Trump mund të vijë pas 40 ditëve në pushtet.

Blendi Fevziu: Pra ti mendon se po luhet në Lindjen e Mesme një pjesë e dramës së zgjedhjeve amerikane, apo jo?

Berat Buzhala: Çdo gjë që po bëhet është kalkuluar me zgjedhjet e Nëntorit në SHBA, sepse nuk ka asnjë kuptim ky nxitim, kur dihet që ka zgjedhje pas 40 ditëve atje. Një gjë që di është se Trump-it i leverdis hapja e një konflikti në Lindjen e Mesme sepse vazhdimisht ai ka thënë se Biden është i dobët pasi nuk i frikësohen shtetet e tjera, prandaj ka luftë në Rusi, sepse kur isha unë në pushtet nuk kishte asnjë luftë botërore. Tani a po ia hap Netanjahu një rrugë tjetër Trump-it për të hapur edhe një luftë, kjo është një çështje tjetër. Por, çfarë ndodh nëse Biden reagon ashpër ndaj Iranit?

Blendi Fevziu: Por kjo e zgjeron konfliktin në Lindjen e Mesme në përmasa të panjohura ndonjëherë apo jo?

Berat Buzhala: Absolutisht!/tvklan.al