Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Për herë të parë para një viti pranë Arkivit Qendror Shtetëror është hapur një fond personal me dorëshkrime të shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare. Ky fond i cili mban numrin 779, u hap me dorëshkrimin origjinal të romanit të parë të shkrimtarit “Qyteti pa reklama”, shkruar prej Kadaresë në gjysmën e dytë të viteve ’50 dhe botuar përpara dy vitesh.

Shaban Sinani:- “Pas vitit 1944 ka shumë pak fonde personale të shkrimtarëve dhe artistëve, çfarë ka ndodhur në të shkuarën dhe nuk mundemi ta ndreqim, por ne kemi mundësi që në mënyrë retrospektive, të punojmë më shkrimtarët dhe artistët që pak nga pak të rregullojmë këtë shproporcion dhe figurat e shkencës dhe të dijes e kulturës tonë të kenë dorëshkrimet e tyre në arkivat e Shqipërisë, që janë një medium i hapur për kërkime e studime”. Sot shkrimtari i njohur ka depozituar pranë këtij fondi të çelur me emrin e tij dy romane, “Vajza e Agamemnonit” dhe “Hija”, të cilët, autori në mesin e viteve 1980, duke mos parë asnjë shpresë botimi dhe duke e konsideruar një rrezik, arriti t’i nxjerrë jashtë vendit dhe t’i depozitojë në Paris.

Ismail Kadare:- “Ne duhet ta respektojmë vendin tonë, ta konsiderojmë një vend serioz, pavarësisht se nuk është i gjithi serioz, por ne do të mbështetemi në ato institucione, që mendojmë që janë serioze. Në të gjithë botën, vendet që janë serioze, arkivat nuk janë kurrë kaq të zbraza sa për fat të keq janë në Shqipëri. Kjo dihet pse ka ndodhur, njerëzit s’kanë pasur besim tek arkivi. Më parë në arkiv mund të ndodhnin shkulje, deformime, zhdukje, kështu që shpresojmë që kjo histori të ketë marrë fund. Arsyeja tjetër është se pse unë nuk kam dashur që në këtë arkiv, ka pasur një material shumë të bollshëm për mua, për fat të keq ju zoti drejtor përdorët fjalën elegante mbuluar, unë do ta zëvendësoja më fjalën krijimtari e denoncuar. Ato dokumente shumica janë denoncime. Unë kam pasur dhe fatkeqësinë të shohë një pjesë prej tyre, që më kanë trishtuar jashtëzakonisht dhe mendoj që megjithatë, sado e hidhur të jetë, kjo pamje e dytë e letërsisë shqipe, pamje e fshehtë, pamje e bodrumit të saj, opinioni ynë në një farë mënyre duhet të njihet me të, sepse do të zbulojë një të vërtetë tjetër që do të plotësojë të vërtetën e madhe që ka ndodhur në këtë vend”.

Dhurimi i këtyre dy veprave të Kadaresë për Arkivin Qendror të Shtetit është jo vetëm një pasurim i arkivave shqiptare, por ai shërben edhe si një pikënisje për të rivlerësuar zhvillimin e letërsisë në periudhën bashkëkohore dhe është një ndihmë e madhe për studiuesit e tekstologjisë./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora