Por qëndrimi ndaj Putinit përçan koalicionin

Italia mund të ketë së shpejti të parën qeveri të së djathtës nacionaliste që pas Luftës së Dytë Botërore. Xhorxha Meloni e etiketuar si neo-fashiste pritet të jetë e para grua në krye të qeverisë, pas zgjedhjeve të së Dielës.

Por koalicioni i djathtë mes saj dhe Mateo Salvinit të Lega Nord dhe ish-kryeministrit Silvio Berluskoni duket i përçarë ende pa marrë drejtimin e qeverisë. Në një intervistë për median publike italiane RAI, Berluskoni u përpoq të justifikonte Putinin që nuk e fsheh se e ka patur mik, për sulmin në Ukrainë.

“Putin u zhyt në një situatë dramatike. Një delegacion i separatistëve pro-rusë i shkoi dhe i tha se Zelenski po shton sulmet ndaj tyre dhe ka shkaktuar 16 mijë vdekje. Ju lutem na mbroni se përndryshe nuk dimë si do shkojë puna jonë. Në fillim parashikohej që operacioni special të përfundonte brenda një jave pas rënies së Kievit e më pas rusët të largoheshin.

Berluskoni duket në të njejtën linjë me partnerin tjetër të koalicionit Mateo Salvini, i cili është kundër sanksioneve europiane ndaj Rusisë. Megjithatë, Meloni është krejtësisht kundër sulmit rus në Ukrainë dhe mbështet fuqishëm, ashtu si vendet e tjera të unionit, sanksionet ndëshkuese që synojnë rrënimin ekonomik të Rusisë.

Tv Klan