Në vetëm 4 vjet përdorimi i cigares elektronike në Itali ka shënuar në rritje të jashtëzakonshme, veçanërisht te të rinjtë. Sipas një raporti të Global Youth Tobacco Survey, 1 në 5 adoleshentë italianë konsumojnë duhan, 18% e tyre konsumojnë cigaren elektronike. Anketuesit në vendin fqinj, e krahasojnë përhapjen e përdorimit të cigares me avull, të njëjtë me atë të duhanit të zakonshëm.

Një përdorim i gjerë i cigares elektronike është vërejtur edhe te gratë dhe vajzat, pasi shihet si një mënyrë për të lënë përfundimisht duhanin. Sipas një studimi të Shëndetit Publik në Britaninë e Madhe, cigarja elektronike rezulton rreth 95% më pak e dëmshme për konsumatorët.

Përdorimi i tymosjes me avull po inkurajohet gjithnjë e më shumë në vendet e Bashkimit Europian, si një alternativë e mirë për të ulur konsumin e duhanit.

Përdorimi i cigareve elektronike lejohet gjithashtu në vende publike, ku duhani është i ndaluar.

Por një politikë e ndryshme ndiqet në Shqipëri. Në ligjin e ndryshuar, cigarja që lëshon avull konsiderohet njëlloj e dëmshme me duhanin dhe konsumi i saj është i ndaluar në ambiente publike.

Tv Klan