Emisioni “Stop” ishte në lagjen Dubai në Kamëz për rastin e zonjës Leonora Ndini, shtëpia e të cilës është dëmtuar nga tërmeti i Nëntorit 2019. Prej 2 vitesh ajo merr të njëjtën përgjigje, që skualifikohet, pasi rezulton pronare në 2 apartamente.

Zonja Ndini shprehet, se e vetmja banesë është ajo, ku jeton në Kamëz dhe nuk ka pronësi në asnjë vend tjetër. Bëhet fjalë për një apartament tjetër 63 m2 në zonën kadastrale 8350.

“Unë shkoj në Bashkinë e Kamzës dhe skualifikohem sepse dal me dy apartamente, një me 95 metra katrorë dhe një me 65 metra katrorë. Me 95 metra katrorë unë figuroj me 4 persona që jetoj. Në këtë familjen tjetër jetoj me 5 persona. Dua të që kjo familja tjetër me 5 persona, ku ndodhet si zonë kadastrale.

Nuk marr pjesë në rindërtim më sepse u skualifikova. Unë këtë dëshiroj që të gjeni dhe pronën tjetër dhe ua fal kush të ma gjejë këtë pronë”, tha zonja.

“Stop” u vu në kontakt me kadastrën dhe provuam, se prona 63m2 nuk ka lidhje me Leonorën, por me një zonjë tjetër, që ka të njëjtin emër e mbiemër, por i ndryshon atësia.

Por problemi i saj vazhdon!

Pas më shumë se 2 vitesh i thuhet, që është në pronësi në këtë shtëpi me vëllezërit dhe ata kanë pronë tjetër, ndaj Leonora është skualifikuar.

Drejtori i Rindërtimit Kamëz: Problemi është, që ju jeni në certifikatë familjare me vëllezërit në lidhje me dokumentet dhe ajo është penalizuese. Akti Normativ është shumë i ftohtë, ça është shkruajtur aty, duhet respektuar. E zemë, që nuk ekziston fare, ky këtu, i dyti. Ti tani je në certifikatë me vëllezërit, vëllezërit rezultojnë me pronësi. Fakti, që ekziston, nuk e përfiton. Për “Ligjin e Rindërtimit” nuk e përfiton, të betohem.

Pas ndërhyrjes së “Stop”, Bashkia Kamëz dha një zgjidhje alternative, për ta siguruar zonjën në banesat, që po bën shteti, për të prekurit nga tërmeti në Valias, një apartament 1+1 në përdorim, sa të ketë jetë.

Drejtori i Rindërtimit Kamëz: Ne do të kemi një bllok shtëpish, që do të përdoren, janë me standarde potenciale, me ashensor, me park, me të gjitha. Do të shkojë dhe Bashkia atje. Tashi nuk është se e merr në pronësi, nuk është pronë e jotja, atë apartament 1+1, kështu më tha kryetari, unë sjell fjalët e kryetarit, unë nuk marr përgjegjësi, por që do e ndjek vetë nga fillimi deri në fund vetëm për respekt të zyshës, natyrisht e merr falas, do paguash vetëm ato taksat. Qëllimi është, që zyshës, që ka pas një fatkeqësi, kam dakordësinë e kryetarit, që zyshën ta sistemojmë në një apartament 1+1 derisa të ketë jetë, shekulloftë!/tvklan.al