Izraeli do të vaksinojë palestinezët që mbajnë leje pune



Izraeli do të vaksinojë palestinezët që mbajnë leje pune

13:44 01/03/2021

Fushata e vaksinimit do të fillojë brenda disa ditësh dhe do të përfshijë 130 mijë palestinezë.

Qeveria izraelite do të vaksinojë me vaksinën Pfizer/Biontech dhjetëra mijëra punëtorë palestinezë. Izraeli u përball me kritika të ashpra për numrin e vogël të vaksinimeve që u kishte siguruar palestinezëve që jetonin nën okupimin e saj ushtarak.

Gjatë ditëve të ardhshme, një fushatë vaksinimi do të fillojë për punëtorët palestinezë të punësuar në Izrael dhe në komunitetet anembanë Judesë dhe Samarisë. Fushata e vaksinimit do të përfshijë rreth 130.000 palestinezë

Shumica e palestinezëve janë punëtorë ndërtimi, por disa prej tyre bëjnë punë në ferma ose në fabrika, dyqane, restorante dhe vende të tjera.

Dhjetëra mijëra palestinezë që punojnë në Izrael pa dokumente zyrtare nuk do të kenë të drejtë të marrin dozën e parë të vaksinës.

Një debat i nxehtë është ndezur për javë të tëra nëse Izraeli mban përgjegjësi për shëndetin e palestinezëve në Bregun Perëndimor të okupuar dhe Rripin e bllokuar të Gazës. 

Grupet e të drejtave të njeriut kanë argumentuar se e drejta ndërkombëtare kërkon që Izraeli t’u sigurojë palestinezëve të njëjtën qasje në vaksina siç marrin vetë qytetarët e tij. Por mbështetësit e politikave të Izraelit kanë pohuar se palestinezët morën përgjegjësinë për shërbimet shëndetësore kur nënshkruan Marrëveshjet e Oslos në vitet 1990.

Autoriteti Palestinez në Bregun Perëndimor ka marrë gjithashtu edhe 2,000 doza nga Izraeli dhe ka premtuar të dorëzojë 3,000 të tjera si dhe ka marrë 10,000 nga Rusia. Rripi i Gazës i kontrolluar nga Hamasi ka marrë edhe 20,000 doza nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Izraeli ka vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës së Pfizerit mbi gjysmën e popullsisë prej 9.3 milionë banorësh, përfshirë edhe palestinezët në Jerusalemin Lindor. Ndërsa një e treta kanë marrë të dyja dozat që kur filloi shpërndarja në 19 dhjetor të vitit të kaluar.

Klan News







Të ngjashme