Gazetarja: Zoti Gjana cili është dallimi midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ndarjen e zonave zgjedhore?

Jemin Gjana: “Listat e zgjedhësve të 2003 të cilat shumë herë padrejtësisht konsiderohen si lista të sakta janë absolutisht një e dhënë shumë e gabuar për të ndarë zonat zgjedhore dhe një e dhënë e cila jo vetëm e lë situatën kështu por e favorizon Partinë Socialiste në vendet që konsiderohen dominione të saj politike. Cili është problemi? Problemi është se nga 12 qarqe që ka Shqipëria në 10 qarqe rezulton që po të krahasojmë listat e votuesve të 2003 bie fjala me regjistrimin e popullsisë rezulton që në 10 nga 12 qarqe numri i votuesve është sa 60 deri në 80% e numrit të popullsisë gjithsej. Çfarë ndodh me dy qarqe të tjera të Republikës? Dhe këto janë qarku i Gjirokastrës dhe qarku i Vlorës. Jo vetëm që nuk janë në këtë mesatare dhe të përafrohen me qarqet e tjera të vendit por përkundrazi numri i votuesve është sa 120% e popullsisë. Ose më qartë nëse qarku i Gjirokastrës dhe Vlorës popullsinë e regjistuar jashtë influencave politike e kanë 305 000 banorë numrin e votuesve në lista e kanë 354 000 banorë. Ose qarku i Vlorës është shtuar në listat e 2003 me 32 000 votues krahasuar me 2001 saqë gjithë shtesa së bashku e qarkut të Dibrës, të Kuksit, të Elbasanit, të Beratit dhe të Korçës të marra së bashku. Pra në një vend ka 20% më shumë njerëz në lista seç ka banorë ndërsa në të gjitha vendet e tjera të Republikës ka 20-30% më pak njerëz në lista se sa ka banorë. Pra diferencat janë tërësisht të dukshme. Ky është dallimi themelor dhe thelbësor.”

Gazetarja: Partia Demokratike ku cënohet konkretisht nëse socialistët vazhdojnë të mbajnë të njëjtin variant të tyre?

Jemin Gjana: “Në qoftë se vazhdojnë të mbajnë të njëjtin variant të tyre do të thotë që Partia Socialiste ka më shumë sesa takojnë 4 zona në qarkun e Beratit, të Gjirokastrës dhe të Vlorës ose në Berat dhe në Vlorë të marra së bashku duke lënë mënjanë Gjirokastrën dhe pakësohen ose ka më pak zona seç duhet të ketë në qarqe të tilla si: Tirana Korça, Dibra, Shkodra, Kuksi ndofta dhe Elbasani. Zgjidhja që është bërë aktualja është një zgjidhje e pranueshme. Pse? Së paku i heq tri zona të pamerituara në dy nga qarqet me popullsi më të vogël me votues më pak dhe i shton në qarqet që kanë popullsi më të madhe dhe kanë numër votuesish më të madh gjë që është treguar jo në një palë zgjedhje, por në tri palë zgjedhje të fundit në Shqipëri.” /tvklan.al