Në një lëvizje të papritur mëngjesin e së shtunës, Kryeministri Edi Rama njoftoi dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Me një koment në Twitter, kreu i qeverisë konfirmoi se e pranoi dorëheqjen e ministrit, të cilin e falenderon për kontributin e çmuar. Në vend të Xhafajt, Rama ka emëruar gjeneral Sandër Lleshin, emrin e të cilit ia ka dërguar menjëherë për dekretim Presidentit të Republikës. Kryeministri Rama shkruan se kjo lëvizje do të sjellë një energji të re në këtë ministri ndërsa publikon edhe kërkesën drejtuar kreut të shtetit.

“Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar .Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.”

Zyrtarisht thuhet se ky është edhe një nga motivet që Xhafaj ka paraqitur në letrën e dorëheqjes megjithëse publikisht nuk jepen detaje.

Mesditën e së shtunës ai hyri në zyrën që e mban prej Marsit të 2017-ës, me një ndërprerje të shkurtër gjatë qeverisë teknike. Xhafaj ka zhvilluar një takim me Zv/ministrat, këshilltarët dhe bashkëpunëtorët. Në një reagim me shkrim të bërë më herët, ai thotë se i paraqiti dorëheqjen kryeministrit me vullnetin e tij duke e falenderuar për besimin e dhënë.

“Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve. Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra”.

Fatmir Xhafaj pasoi në këtë detyrë Saimir Tahirin. Ai ka qenë vazhdimisht i sulmuar nga opozita sidomos pas publikimit të një audiopërgjimi që implikon vëllain e tij dhe që njihet si çëshja “Babale”. Xhafaj ka mohuar në vazhdimësi akuzat duke i konsideruar politike dhe hedhje balte mbi policinë.

Tv Klan