19-vjeçari shqiptar bie pre e bashkëkombësve të tij në Britani

Shkoi për një jetë më të mirë, por përfundoi pjesë e trafikut të drogës. Bëhet fjalë për një të ri shqiptar, i cili do të duhet që muajt e ardhshëm t’i kalojë në një burg të Britanisë së Madhe.

S.Nelaj u kap nga autoritetet policore teksa kujdesej për rreth 600 bimë kanabis në një shtëpi në Great Harwood, në muajin Mars.

Gjatë dhënies së dënimit në gjykatën e Preston u zbulua se vlera e bimëve narkotike përllogaritej nga 27 mijë deri në 72 mijë paund.

“Të dielën e 22 Marsit, oficerët shkuan në një adresë në Great Harwood dhe folën me të pandehurin. Ai u tha se përgjegjësi kishte vajtur për të bërë pazar dhe se ai vetë ishte një emigrant i paligjshëm nga Shqipëria. Nisur nga informacioni i marrë policia vendosi të kontrollonte shtëpinë. Përveç kanabisit, autoritetet gjetën edhe një sasi prej 2 mijë paundësh”, tha në gjykatë prokurori i çështjes, Paul Cummings.

Ky i fundit u shpreh se e pranonte faktin se Nelaj ishte aty thjeshtë si kujdestar, nën instruksionet e të tjerëve. I riu shqiptar u shpall fajtor për prodhim kanabisi.

Avokati mbrojtës i 19-vjeçarit tregoi në sallë të gjyqit se ai i kishte marrë hua paratë për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe duhet të gjente një mënyrë për t’i kthyer këto para.

“Erdhi në Britani sepse kërkonte një jetë më të mirë. Ai kishte marrë para hua për të paguar rrugën drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe duhet të paguante borxhin. Megjithatë ishin persona të komunitetit shqiptar që i ofruan këtë punë që çoi në arrestimin e tij. Jeta e mirë që shpresonte, nuk erdhi asnjëherë.”

“Ky djalë i ri ngeci në biznesin e dikujt tjetri. Ju kërkoj që dënimi i tij të jetë sa më minimal, në përputhje me detyrën tuaj publike”, ishin fjalët me të cilat iu drejtua avokati mbrojtës gjykatësit.

Ky i fundit e dënoi shqiptarin me 8 muaj burg. Mediat vendase shkruajnë se Nelaj u paralajmërua se pas përfundimit të dënimit me gjasë do të deportohet drejt Shqipërisë./tvklan.al