Detaje të reja tronditëse janë publikuar në lidhje me ngjarjen e rëndë ku një shitës 44-vjeçar në Selanik u vra gjatë një grabitje nga një shqiptar 27 vjeç dhe bashkëpunëtori i tij grek, 35 vjeç. Në një video dokumentar të publikuar në mediat vendase shikohen lëvizjet e autorëve pak para se të kryejnë grabitjen e përgjakshme. Ata ishin veshur xhaketa sportive me kapuçë për të fshehur identitetin. 27-vjeçari shqiptar është parë teksa mbante në dorën e majtë një qese dhe në dorën e djathtë një dyshek të mbledhur. Të dy kanë ecur të qetë dhe ngadalë, pa u vënë re që ishin bërë gati të shkaktonin një tragjedi të vërtetë.

Në fund të rrugës ata janë ndarë, me shqiptarin që është kthyer majtas për të kryer grabitjen në dyqan dhe bashkëpunëtorin grek që vazhdoi drejt, i gatshëm për të ndihmuar shqiptarin pas ngjarjes. Pasi kryen krimin, shqiptari ka vrapuar për t’u larguar nga skena e krimit. “Ai dallohet si hije duke vrapuar në drejtim të bashkëpunëtorit që po e priste. Dhe më pas, të dy zhduken”, shkruhet në mediat greke. Pas kësaj, jeta e një personi, vetëm 44 vjeç, u shua… U shua për 700 Euro, shkruajnë mediat.

Lajmi tragjik ka tronditur të gjithë vendin dhe ka futur një familje të tërë në zi. 44-vjeçari, i cili është identifikuar me emrin Mario, kujdesej për të ëmën viteve të fundit. Ai i rezistoi grabitjes së shqiptarit. Ky i fundit e goditi me qytën e pistoletës. Kjo ka shkaktuar rrëzimin e viktimës në tokë, por gjithsesi ka qenë i vetëdijshëm. Më  pas, 44-vjeçari grek e ka kapur nga këmba shqiptarin në përpjekje për ta ndaluar që të largohet. Pasi është kthyer, shqiptari e qëlloi me një plumb në kokë, çka i shkaktoi vdekjen. Autori ka thënë se arma është shkrepur në një moment të caktuar padashje.

Një gabim i shqiptarit bëri që ky i fundit të kapej. Ka qenë një objekt që ka rënë nga qesja e tij, ku është përftuar shenja e gishtit e bashkëpunëtorit të tij. I pari që u arrestua ishte 35-vjeçari grek. Disa orë më vonë, u kap edhe 27-vjeçari shqiptar. Të dy kanë folur para autoriteteve. Ata janë shprehur se nuk kanë pasur qëllim që të kryejnë vrasjen. Bashkëpunëtori grek ka thënë para autoriteteve se nuk dinte gjë për grabitjen që do të ndodhte. Ai ka pretenduar se me shqiptarin ka qenë shok kohët e fundit. /tvklan.al