Në një konferencë të përbashkët shtypi në Bruksel me kryeministrin Rama, kreu i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i pyetur rreth dekretit të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve,  deklaroi se zgjedhjet duhet të mbahen. Mos zhvillimi i tyre tha Juncker do të ndikojë në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Njerëzit nuk duhet të pengohen që të ushtrohet e drejta e tyre demokratike. Nuk mund të bllokosh vullnetin e qytetarëve. Ndaj mendoj se zgjedhjet duhet të zhvillohen, ndryshe do të shtyhet më tej perspektiva europiane e Shqipërisë”.

Gjatë konferencës së shtypit Kryeministri Rama nuk preferoi të komentonte dekretin e Presidentit Meta ndërsa theksoi se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 Qershor.

“Nuk kam kohë për të folur për Presidentin. Do të t’i themi të gjitha pasi të mbarojmë vizitën. Kur të kthehem në Shqipëri do të merrem me dekretin dhe lëvizjet e Presidentit.”

Presidenti i KE-së, Junker, deklaroi se Shqipëria meriton plotësisht hapjen e negociatave.

“Shqipëria është gati për hapin tjetër, ndaj dhe kemi përsëritur propozimin tonë për Këshillin Europian për hapjen e negociatave. Janë disa pengesa që duhen kaluar, por më duhet të ritheksoj se ne u kemi bërë disa kërkesa autoriteteve shqiptare, të cilat i kanë realizuar ato. Jam në favor të hapjes së negociatave për Shqipërinë sa më shpejt sepse ajo i ka plotësuar kërkesat. Bindja ime është se duhet të jemi të qartë si kristali se negociatat duhet të hapen”.

Nga ana e tij, kryeministri Rama deklaroi se është koha që Europa të njohë meritat e shqiptarëve.

“Tashmë ka ardhur koha që Europa të bëjë atë që ne presim për të na u njohur meritat tona. Dhe për të na u ndezur drita e gjelbër. Nuk është fundi po fillimi për një kapitull të ri. Kjo do të kërkojë kohë. Ne nuk e bëjmë këtë se na u kërkua nga Bruksel por për të mirën e vendit tonë dhe për të mirën ë fëmijëve tanë si dhe të një vizioni të përbashkët dhe si Shqipëria duhet të jetë për brezat e ardhshëm.”

Gjatë vizitës në Bruksel, kryeministri Rama u takua edhe me kreun e Këshillit të Europës, Donald Tusk si dhe me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Pas këtyre takimeve Rama shkruan në Facebook se zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor.

“Askujt s’mund t’i ndalohet e drejta të votojë. E kundërta i bie ndesh rrugës europiane të Shqipërisë. Shqipëria meriton çeljen e negociatave”

Kryeministri e mbyll komentin se, palët duhet të punojnë për këtë objektiv madhor.

Tv Klan