PD i kundërpërgjigjet me kallëzim në SPAK

Akuzave të njëpasnjëshme të selisë blu, ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka u është përgjigjur me një padi për shpifje në gjykatën e Tiranës, Partinë Demokratike dhe përfaqësues të saj.

Padia në Gjykatën e Tiranës është bërë për Albana Vokshin, Xhemal Gjunkshin dhe Gent Strazimirin për shpifje ndaj ministres dhe forcave ajrore, për pretendimin se një helikopter i ushtrisë është përdorur në fushatë zgjedhore nga ministrja Olta Xhaçka.

Por menjëherë pas saj, partia demokratike i është kundërpërgjigjur padisë duke e kallëzuar në SPAK ministren Xhaçka. Kallëzim është bërë edhe për autoritetet ushtarake me akuzën se kanë manipuluar  të dhënat  për përdorimin e helikopterit ushtarak  për fushatë  elektorale.

Demokratët kanë publikuar disa pamje filmike të një helikopteri të ushtrisë, në të cilin ngjitet ministrja Xhaçka dhe disa materiale të tjera, me pretendimin se bëhet fjalë për udhëtime të ministres në Dibër, për të marrë pjesë në aktivitete elektorale.

Por Forcat Ajrore kanë hedhur poshtë akuzat, duke sqaruar se gjatë muajve të fundit janë kryer 338 fluturime dhe vetëm 9 kanë patur destinacion qarkun e Dibrës e jo 22 siç pretendon PD dhe se ato kanë pasur për qellim emergjenca mjekësore, civile e trajnim për pilotët.

Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e Ministres së Mbrojtjes dhe i ka bërë thirrje prokurorisë të hetoje. Por tani do të jene SPAK dhe gjykata e Tiranë qe pritet të hedhin dritë mbi këtë çështje.

Tv Klan