Andia Ulliri nr. 6 për PD, qarku Durrës

Teksa na ndajnë pak ditë nga zgjedhjet e 25 Prillit, fushata elektorale vijon si nga kandidatët e njohur, ashtu edhe nga ata të rinj që kandidojnë për herë të parë.

Duke shpërndarë fletushka dhe duke takuar të rinj, Andia Ulliri i është përveshur punës në zonën ku ajo kandidon duke zhvilluar takime nga afër me çdo qytetar e të ri.

Zonjusha 22-vjeçare është një ndër kandidatet më të reja në listat e Partisë Demokratike. Ajo renditet e 6-shta në qarkun e Durrësit, në zonën e Fushë-Krujës.

Për televizionin kombëtar Klan News, ajo shprehet se do të jetë zëri i të rinjve në parlament.

“Vendosa të kandidoj sepse sot shoh që të rinjtë dita ditës e kanë humbur shpresën për të qëndruar në vendin e tyre dhe mendoj që ka ardhur koha që ne të bëjmë një ndryshim. Ka ardhur koha që ne t’i mundësojmë çdo të riu e të reje shqiptare, të gjejë shpresën në vendin e tyre pa u dashur të investojnë për t’u larguar nga Shqipëria. Premtoj që do t’i përfaqësoj denjësisht në parlamentin shqiptar dhe që do jem zëri i tyre në çdo kohë”, thotë Andia Ulliri.

Andia Ulliri vjen nga një familje që ka nxitur hapjen e qindra vendeve të punës, falë mobilerive që u hapën nga nismëtari i parë në këtë fushë, Abaz Ulliri, xhaxhai i saj.

Duke jetuar me realitetin e zonës ku kandidon, Ulliri tregon se çfarë synon të përmirësojë me marrjen e mandatit të deputetes.

“Zona e Fushkrujës sot karakterizohet nga industria e prodhimit të mobiljeve, ku gjatë 8 viteve të fundit është lënë në harresë. Me programin e PD-së dhe aplikimin e taksës së sheshtë, kjo zonë do të ofrojë qindra vende pune, duke e kthyer në një zonë të mirfilltë industriale ”, shprehet ajo.

Në takimin me të rinjtë, në prani edhe të futbollistit Andi Lila si koordinator i PD-së për sportin, Andia Ulliri u bën thirrje qytetarëve që ta votojnë në zgjedhjet e 25 Prillit që dhe sporti të shkëlqeje si dikur në Fushë-Krujë.

Klan News