Kim Kardashian do të paguajë një gjobë prej 1.26 milionë Dollarësh për reklamimin e një aseti kripto, një rast që sipas autoriteteve është mjaft i  përhapur në mesin e të famshmëve.

Ylli i “The Kardashians” nuk bëri të ditur shumën prej 250.000 Dollarësh që i ishte dhënë nga firma e kriptomonedhave EthereumMax për të reklamuar xhetonat e tyre EMAX, tha Komisioni amerikan i Sigurisë dhe Shkëmbimit.

Kardashian publikoi një postim në Instagram ku reklamonte xhetonat dhe përfshiu një link që të shpinte në një faqe interneti ku përfshiheshin udhëzime për blerjen e tyre. Sipas postimit, Kardashian ishte informuar për to nga disa “miq” si dhe kishte vendosur një lajmërim ku thuhej “kjo nuk është këshillë financiare”.

Në postimin e publikuar në vitin 2021, ndodhej një video ku Kim shprehej se po bënte një “njoftim të madh”. Biznesmenia tani do të paguajë gjobën dhe do të bashkëpunojë me institucionin që po heton për kriptomonedhat e mbështetura nga personazhet e njohur.

Gjatë verës së vitit 2021, shumë të famshëm mbështetën kriptomonedha të reja dhe të rrezikshme si dhe kompanitë që i ofronin. Komisioni i Sigurisë dhe Shkëmbimit u shpreh se masa të tjera ndëshkimore do të ndërmerreshin ndaj personazheve të njohur si pjesë e vazhdimit të hetimit.

“Ky rast është një kujtesë se kur të famshmit ose influencerët mbështesin mundësi investimi, përfshirë asete kripto, nuk do të thot që këto produkte janë të duhura për çdo investitor. Ne i nxisim investitorët të konsiderojnë rreziqet dhe mundësitë potenciale të një investimi në varësi të synimeve të tyre financiare.

Rasti i znjsh. Kardashian shërben edhe si një kujtesë për të famshmit dhe të tjerë se ligji iu kërkon t’i deklarojnë publikut kur dhe sa ata paguhen për të reklamuar investimin në asete”.

Gjoba ndaj Kardashian përbëhet nga 260.000 Dollarë që ajo mori nga reklamimi i kriptomonedhës si dhe një 1 milionë penalitet. Gjithashtu ajo ra dakord të mos reklamojë asnjë aset kripto për tre vjet./tvklan.al