“Duhet dialog mes Parlamentit dhe Presidentit për kandidaturat”

Nisur nga debatet që shkaktoi opinioni i Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim në një opinion të publikuar në faqen zyrtare të selisë diplomatike thekson nevojën urgjente të ngritjes së kësaj gjykate. Ambasadorja Kim thotë se është ky organ që mund të vendosë për ligjshmërinë, pasi as Presidenti dhe as Kuvendi nuk janë gjykata.

“Është me rëndësi që as presidenca dhe as parlamenti nuk është një gjykatë me autoritetin për të vendosur se si duhet ecur përpara kur në legjislacion ka një boshllëk. Komisioni i Venecias vë në dukje se “Varet nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës në një situatë që nuk parashikohet në procesin e hartimit.” Kjo këshillë thekson urgjencën e ngritjes së një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ambasadorja thotë se Venecia nuk shpalli humbës apo fitues, por apelon për dialog mes Presidentit dhe Kuvendit përpara se të marrin listat e kandidatëve.

“Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias mbi Emërimin në Shqipëri të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ofron një mundësi për të gjitha palët që të bëhen bashkë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim”.

Diplomatja amerikane thotë se Reforma në Drejtësi është tashmë në një fazë kritike. Reforma, sipas saj, ka qenë e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë në mënyrë që Shqipëria të sigurojë të ardhmen e saj si një anëtar edhe më me vlerë i NATO-s dhe anëtare e plotë e Bashkimit Evropian.

Tv Klan