Kina ka aprovuar pasaportën dixhitale të Covid-19 për qytetarët e saj që planifikojnë të udhëtojnë jashtë vendit. Kjo lëvizje e Kinës është në një linjë me shumë vende të tjera që kërkojnë këtë dokument për të lejuar që të shkelësh në territorin e tyre.

Pasaporta dixhitale e vaksinimit ka disa javë që diskutohet dhe është një masë që shumë vende e kanë ndërmarrë në përpjekje për të hapur ekonominë dhe lejuar turizmin e sigurt. Sipas Reuters, certifikata e lëshuar nga Kina do të ketë detaje që tregojnë se një person është vaksinuar, si dhe rezultatet e testeve kundër Covid.

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, tha të Dielën qëllimi i certifikatës është të arrijë verifikimin e ndërsjellë të informacionit dhe qytetarët të ndihen të sigurt.

Nuk është ende e qartë se me cilat shtete po bisedon Kina për të njohur këtë pasaportë të Covid-19. Nga ana tjetër Kina vijon që të mbajë në karantinë të detyruar të gjithë të huaj që e vizitojnë atë, duke mos lehtësuar asnjë masë në muajt e fundit.

Por për ata qytetarë që janë vaksinuar, Kina ka lehtësira dhe nuk janë të detyruar që të qëndrojnë në izolim. Ndërkohë vaksinimi po vijon në shumë vende të botës dhe po diskutohet që të ketë një pasaportë dixhitale të Covid-19 për të gjithë turistët./tvklan.al