Kina ka mbajtur zi për viktimat e shkaktuara nga koronavirusi duke qëndruar tre minuta heshtje. Gjatë kësaj kohe e gjithë Kina “ndaloi”.

Në 10:00 me orën lokale, njerëzit qëndruan pa lëvizur për 3 minuta. Pas kësaj makinat, trenat dhe anijet u ranë borive ndërsa flamujtë u ulën në gjysmë shtizë.

Rasti i parë me koronavirus u zbulua në qytetin Wuhan. Që nga ai moment, virusi ka përfshirë botën duke infektuar më shumë se 1 milionë njerëz dhe duke vrarë rreth 60 mijë prej tyre.

Në Wuhan, epiqendrën e pandemisë, dritat e trafikut u bënë të gjitha të kuqe gjatë 3 minutëshit për të ndaluar trafikun.

Qeveria kineze tha se kjo ngjarje është një mundësi për të respektuar “martirët”, duke iu referuar 14 mjekëve që humbën jetën për shkak të virusit.

Aty përfshihej edhe Li Wenliang, doktori nga Wuhan-i që vdiq nga Covid-19 pasi u qortua nga autoritetet se tentoi të paralajmëronte të tjerët rreth sëmundjes.

Kjo ditë ishte vendosur disa ditë më parë për të përkujtuar më shumë se 3.300 vetë që humbën jetën me Covid-19./tvklan.al