Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka vazhduar me frymën e konsensusit, shqyrtimin dhe miratimin e  amendamenteve për ligjin e legalizimeve, i kthyer në parlament për t’u riparë me dekret të kreut të shtetit. Ashtu si dhe pritej kompetencat e pushtetit vendorë gjatë verifikimit të ndërtimeve pa leje, ishin pikat më të diskutuara në komision.

Ylli Bufi: “Kompetencën bazë që është kompetenca e kualifikimit të ndërtimeve pa leje, e mban përsëri pushteti vendorë. Natyrisht që pushteti vendor nuk mund ta mbajë pa kufi. Kemi vënë një afat, ramë dakord që kjo do të jetë edhe 2 muaj të tjera dmth ka qenë 2 vjet e ca deri më tani dhe në qoftë se përsëri pushteti vendorë nuk do ta bëjë këtë detyrë, këtë kompetencë nuk do ta zbatojë atëherë natyrisht ALUIZNI do vazhdojë punën që i takon në bazë të ligjit”.

Ardian Kollozi: “Sepse e gjykojmë se ky është një ligj që duhet të ketë maksimumin e konsensusit të mundshëm sepse kështu do të implementohet dhe më thjeshtë, do të vazhdojmë punën dhe ditën e hënë  dhe besoj se brenda të hënës ne do ta paraqesim në kuvend për miratim”.

Paketa e amendamenteve që po shqyrtohet në komision, është produkti i negociatave politike dhe teknike që ka realizuar Partia Republikane me demokratët.

Arjan Madhi: “Në këtë rast bashkëbisedimi politik ndërmjet nesh dhe faktorëve të PD nuk ka qenë për të realizuar një marrëveshje në favor të programit politik të PR. Por për të sjellë një ligj në standardin kushtetues. PR insistojë dhe paraqiti në projekt-draftin e saj i cili për fat të mirë gjeti mirëkuptimin e plotë dhe nga PD që të realizohej procesi i kompensimit, gjithmonë t’i paraprinte procesit të legalizimit”.

Komisioni do të vazhdojë shqyrtimin e draftit të hënën që vjen, kur pritet që ish-pronarët të sjellin propozime konkrete për çështjet e kundërshtuara prej tyre./tvklan.al