Anëtarja e Komitetit të Ekspertëve, njëkohësisht dhe zëvendës ministre e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka njoftuar sot masat e reja në përpjekje për të parandaluar përhapjen e COVID19.

Në një deklaratë për mediat Rakacolli tha se javët e fundit është parë një rritje e rasteve të reja ndaj dhe Komiteti i Ekspertëve i ka propozuar qeverisë marrjen e disa masave të reja.

Me vota unanime Komiteti i Eksperteve shprehet se universitetet duhet që të fillojnë mësimin online, por ashtu dhe baret dhe kafenetë në zonën e Bllokut të mbyllen pas orës 22:00.

Në mbledhjen e zhvilluar pak momente më parë Komitetin Teknik i Eksperteve, ka analizuar situatën dhe risqet, kemi vlerësuar situatën në rajon dhe Evropë, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm ne distancë, pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën ne dinamikë. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”, tha Rakacolli.

Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerëson edhe mbyllen e pjesshme për aktivitete e lokaleve, bareve e në zonën e Bllokut në Tiranë, si vatra rreziku për përhapjen e COVID-19.

Njëkohësisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës”, tha Rakacolli.

Më tej ajo bëri thirrje të gjithëve që të zbatojnë masat e marra, pasi askush nuk e do një mbyllje të dytë./tvklan.al