Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Autoritetet më të larta shqiptare kanë siguruar edhe njëherë aleatët perëndimor për luftë të përbashkët ndaj terrorizmit dhe në mënyrë të veçantë në fushatën ndaj Irakut. Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga shoqata e Atlantikut të Veriut, Presidenti Mojsiu theksoi se regjimi iraken përbën një shqetësim themelor për botën.

Alfred Moisiu:- “Aktualisht komuniteti ndërkombëtar është angazhuar, për të përballuar me të gjitha mjetet terrorizmin, parandalimin e shtimit të armëve të ndërtimit në masë, qofshin këto bakterologjike, biologjike apo bërthamore. Dëshiroj t’i shpreh presidentit Bush, falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për mesazhin e tij të ngrohtë dhe mirënjohjen për mesazhin e ngrohtë dhe inkurajues në mbështetje të reformave në Shqipëri, për vlerësimin e lartë që ai i bënë vendit tonë në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon”.

Edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Xhejms Xhefri, ka vlerësuar gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në kuadër të koalicionit antiterrorizëm. Xhefri tha, se ka pasur rastin të konstatojë nga afër moralin e lartë të ushtrisë Shqiptare. Edhe zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, tha se shteti shqiptar nuk i shmanget përgjegjësive në luftën ndaj terrorizmit. Meta tha, se do të jemi pjesëmarrës aktivë të koalicionit ndërkombëtar. Në këtë konferencë ndërkombëtare ka marrë pjesë edhe admirali i lartë i NATO-s Gregori Jonson, si dhe politikanë, diplomatë e gazetarë./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame