Konsumatorët të pakënaqur me kostot e shërbimeve bankare

Konsumatorët të pakënaqur me kostot e shërbimeve bankare

16:40 23/01/2020

Studimi: Gjysma e popullatës përdor këto shërbime

Dy elementët kryesorë që shqetësojnë konsumatorët të cilët përdorin shërbimet bankare janë kostot e larta dhe transparenca.

Një studim i kontraktuar nga Shoqata e Bankave nxjerr në pah se edhe koha e pritjes në banka, apo ngadalësia e shërbimit ndikon në rritjen e pakënaqësisë te klientët, pavarësisht se sistemi bankar mbetet më i besueshmi mbi shumë tregje, institucione drejtësie apo dhe parti politike në Shqipëri.

Studimi megjithatë nxjerr në pah se vetëm 44% e të anketuarve kanë patur një kartë debiti bankare, dhe vetëm 31% rezultojnë të kenë llogari në bankë. Të vjetrit në moshë dhe personat me arsim të lartë janë më të prirur që të kryejnë shërbimet përmes vizitave të degëve, se në platformë dixhitale.

“Për klientët nuk është ende aq e lehtë të kuptosh tiparet ligjore, tiparet e produkteve dhe shërbimeve. Këtu rikthehemi sërish tek pika që duhet të rritim edhe më tej edukimin financiar. Kemi shumë punë për të bërë në këtë aspekt”.

Të vetëpunësuarit dhe të papunët janë grupi që kanë numrin më të lartë të llogarive të kursimit, ndërsa shërbimet bankare të pagave përdoren më shumë nga sektori privat dhe publik.

Meshkujt janë përdoruesit më të mëdhenj të shërbimeve bankare, por dhe ata që kanë numrin më të lartë të kredive krahasuar me femrat, të cilat rezultojnë me më shumë llogari bankare.

Tv Klan



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi