Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon më shumë vëmendje ndaj qytetit të Shkodrës dhe në mënyrë të veçantë ndaj të rinjve. Në konventën e parë të Lëvizjes Rinore për Integrim për këtë qytet, kryetari i LSI-së Meta, ka artikuluar sërish akuzat ndaj qeverisë aktuale dhe nevojën e madhe të rikthimit në identitet të këtij qyteti.

Ilir Meta: “Shkodra dhe qarku juaj është kampion përsa i takon varfërisë në shkallë kombëtare. Qyteti i Shkodrës është kampion për sa i takon papunësisë, është qyteti me papunësinë më të madhe nga të 12 qytetet qendra qarqesh dhe prefekturash në Shqipëri. Për të arritur të ardhurat për frymë që sot ka një qytetar europian në vendet e eurozonës, do të na duhet të presim edhe 40 vjet të tjera.”

Në të njëjtën linjë ishte dhe kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim Erisa Xhixho, ajo shprehu domosdoshmërinë që të rinjtë shkodranë të bëhen pjesë e kësaj force politike. LSI-ja tha ajo, do të zhdukë njëherë e mirë plagët e rënda të shoqërisë si papunësia dhe varfëria që ka pushtuar vendin.

I gjithë takimi i Shkodrës është finalizuar me anëtarësime të reja në këtë parti./tvklan.al

Gazetar: Edian Gjoni