Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kopshti Zoologjik i Tiranës shtrihet në një hapësirë prej rreth 6 mijë metrash katror. E gjithë kjo sipërfaqe e gjelbëruar, ka shërbyer si një vend argëtimi për të vegjël e të rritur prej dhjetëra vitesh dhe aty ekspozoheshin me dhjetëra specie kafshësh dhe shpendësh të vendit tonë.

12 vitet e fundit duket se kanë qenë fatale edhe për kopshtin e vetëm zoologjik të Shqipërisë. Gjithçka ka degraduar dalëngadalë dhe mungesa e investimeve duket qartë në çdo cep që të hedhësh sytë. Financimin e fundit ky ambient e ka parë në 94, ku është bërë e mundur mbyllja e kafazeve të kafshëve, me një galeri prej vetratash xhami dhe disa investime të vogla për blerjen e kafshëve të egra nga Maqedonia.  

Gjithçka tjetër është shkatërruar, duke filluar që nga asfaltimi i rrugicave që është plasaritur plotësisht, mungon sistemi i ujitjes për shkak të mbylljes së tubacioneve të ujit, nga shtëpitë që janë ndërtuar rreth e rrotull. Liqenet janë bërë vatër e ujërave të zeza, që derdhen nga lokalet përreth dhe nuk janë pastruar prej vitesh. Zogjtë e rrallë që dikur mbushnin hapësirat e kopshtit janë zhdukur plotësisht.

Ndërsa 19 kafshët e mbetura janë të vetmet që shuajnë kureshtjen e publikut, i cili nuk është i pakët. Sipas informacioneve të marra, nga drejtoria e gjelbërimit edhe pse të ardhurat që mblidhen këtu çdo ditë shkojnë në arkën e bashkisë së Tiranës, kjo e fundit nuk ka bërë asnjë lloj investimi./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora