Zyrtarë të Koresë së Veriut janë larguar nga zyra e ndërlidhjes që u hap vitin e kaluar së bashku me Korenë e Jugut. Kjo zyrë komunikimi e lokalizuar në qytetin kufitar Kaesong të Koresë së Veriut, u vendos në funksionim pas normalizimit të marrëdhënieve mes dy Koreve. Seuli u informua nga Koreja e Veriut, e cila i vuri në dijeni se stafi i saj do të largohej.

Koreja e Jugut ka shprehur keqardhjen dhe kërkon që stafi i Koresë së Veriut të rikthehet në zyrën ndërlidhëse, raporton BBC. Në këtë zyrë kishte një personel prej 20 personash nga secila palë. Ndërprerja e komunikimit vjen disa javë pas samitit të dështuar mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit koreano-verior Kim Jong Un, ku nuk u arrit asnjë marrëveshje për programin bërthamor të shtetit komunist.

Zyra ndërlidhëse mes Koresë së Veriut dhe Jugut u mundësoi dy shteteve të komunikonin rregullisht për herë të parë që prej periudhës së Luftës së Koresë. Të dyja palët, në të kaluarën komunikonin mes tyre përmes faksit apo linjave të posaçme telefonike, të cilat shpesh ndërpriteshin kur marrëdhëniet përkeqësoheshin.

/tvklan.al