Partia Demokratike ka propozuar 8 pika për të ndihmuar ekonominë. Përmes një postimi në rrjetet sociale kryetari i demokratëve Lulzim Basha thotë se, “Masat ekonomike dhe sociale të propozuara nga PD janë të qarta dhe lehtësisht të zbatueshme për t’ju ardhur në ndihmë familjeve në nevojë dhe të moshuarve që jetojnë në kushte të vështira, dhe për të ndihmuar ekonominë”.

Por cilat janë pikat e propozuara nga PD?

Së pari sipas selisë blu duhet të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse).

Së dyti në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2-mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin.

Së treti propozohet përjashtimi nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021).

Së katërti, pezullimi dhe fshirja e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi COVID-19 është shfaqur. Gjithashtu, të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje.

Së pesti, të përjashtohen nga kamatvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore.

Së gjashti, propozohet përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi COVID-19 është shfaqur.

Sa i përket mbështetjes për shtresat në nevojë dhe mijëra qytetarë të tjerë që si pasojë e tërmetit jetojnë në kushte të vështira, në çadra pra në pamundësi për të siguruar ushqim dhe materiale higjeno-sanitare propozohet furnizimi me ushqime dhe detergjent të të gjithë familjeve që janë në pamundësi ekonomike, duke përfshirë qindra familje që po jetojnë në çadra dhe në kushte aspak të favorshme si pasojë e tërmetit.

Në fund propozohet mundësi për të furnizuar me ushqime të moshuarit që jetojnë vetëm dhe janë më të rrezikuarit nëse dalin në rrugë./tvklan.al