“Efektin nuk e matim dot, por do të goditet industria e turizmit”

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia shqiptare do të ngadalësohet këtë vit për shkak të shpërthimit të pandemisë së koronavirus.

Një mision i Fondit vizitoi Tiranën në datat 9 deri më 13 Mars, ku në fund të takimeve FMN bëri dhe deklaratën në faqen zyrtare, duke shmangur konferencën për shtyp për shkak të situatës së krijuar.

Jan Kees Martijn, shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, thotë se tërmeti i 26 Nëntorit rrëzoi projeksionet për rritjen ekonomike, ndërsa vlerësimet do të shkojnë dhe më poshtë për shkak të virusit COVID-19.

“Tërmeti që goditi Shqipërinë më 26 Nëntor pritet që të ngadalësojë ekonominë në 2020, ku as efekti i rindërtimit apo sektorëve të tjerë si turizmi nuk mund të amortizojë këtë efekt. Nëse i shtohet kësaj edhe shpërthimi global i koronavirusit, ekonomia pritet të ngadalësohet akoma dhe më shumë dhe do të godasë turizmin. Sa i fuqishëm do të jetë ngadalësimi, këtë ende e kemi të paqartë”.

FMN rekomandon që qeveria të orientojë politikat në sektorin shëndetësor dhe të krijojë burime për të mbështetur shtresat më të prekura nga efektet e koronavirus.

“Politikat duhet të orientohen për të mbrojtur qytetarët gjatë shpërthimit të virusit COVID-19 duke siguruar që sektori shëndetësor ka burime të mjaftueshme dhe duke mbështetur me të prekurit. Politika monetare duhet të jetë e përshtatshme që të mbështetë rritjen ekonomike. Ne jemi gati të vazhdojmë dialogun me autoritetet për të ndihmuar reduktimin e impaktit të virusit në ekonomi”.

Fondi këshillon që gjatë vitit të ardhshëm të ndërmerren politika represive sa i përket aspekteve fiskale duke mbajtur defiçitin buxhetor dhe borxhin publik në nivele të ulëta në mënyrë që t’i bëhet ballë krizave të ngjashme në të ardhmen.

Deri tani FMN nuk ka vlerësuar në mënyrë konçize se sa do të japë goditjen pandemia e koronavirus në shkallë globale, por ditët e fundit ka pranuar efekte të mëdha të saj duke alokuar një fond ndihme prej 50 miliardë Dollarësh për reduktimin e tyre, ndërsa vetë ka vendosur të bëhen virtualisht mbledhjet e pranverës.

Tv Klan