Arrin në 7,41 milionë të infektuarit në botë

Numri i rasteve të konfirmuara me  COVID-19 ka shkuar në 7,41 milionë, pasi infeksionet vazhdojnë të rriten me shpejtësi në shumë vende të botës.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të udhëheqin me numrin më të lartë jo vetëm të të infektuarve, por edhe të viktimave si pasojë e koronavirusit. Deri tani janë 114.613 të vdekur dhe mbi 2 milionë të prekur.

Brazili ka kapërcyer Britaninë dhe tashmë radhitet pas Amerikës me 41,828 viktima në total, prej të cilave 909 vetëm në 24 orët e fundit. Rusia regjistroi 8,987 raste të reja në  24 orët që lamë pas, duke e çuar totalin 511,423. 6.715 të tjerë kanë humbur jetën.

Edhe pse po bëhet gati për një hapje totale, Italia regjistroi 56 viktima në 24 orët e kaluara, duke e çuar numrin kombëtar të vdekjeve në 34.223. Pandemia e koronavirusit u ka marrë jetën 28  pacientëve në spitalet e Francës në vetëm 24 orë, teksa vdekjet i kanë kaluar tashmë 29 mijë.

Kur dukej se situata po shkonte drejt përmirësimit dhe shumë vende janë bërë gati për sezonin veror, virusi duket se po rrezikon kthimin e një vale të dytë.

Tv Klan