Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitoron zgjedhjet në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), ka bërë thirrje për përmbajtje deri në shpalljen e rezultateve preliminare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë të mbajtura më 14 nëntor.

Ky koalicion në një komunikatë për media ka thënë se procesi i sotëm i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë “por me pjesëmarrje më të ulët të qytetarëve në zgjedhje krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve lokale”.

“Ftojmë subjektet politike dhe mbështetësit e tyre që të mos shpallin fitoret eventuale bazuar në burime jozyrtare, por të presin shpalljen e rezultateve preliminare nga KQZ-ja”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

Sipas DnV-së gjatë ditës nuk ka pasur ndonjë incident që do të cenonte gjithë procesin zgjedhor por sipas tyre janë regjistruar disa mangësi.

“Respektimi i masave mbrojtëse kundër Covid 19 ka qenë i mangët, sidomos nga votuesit në zonat rurale, por duke mos përjashtuar edhe stafin zgjedhor”, thuhet në komunikatë.

Sot më 14 nëntor qytetarët e Kosovës votuan për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave.

Deri në orën 19, përkatësisht deri në mbylljen e vendvotimeve, në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë votuar rreth 38 për qind të votuesve.

Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kishin 1,260,571 qytetarë dhe ata kishin mundësi të votonin në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.

Komunat në të cilat po zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve lokale janë: Gjakova, Gllogovci, Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Kamenica, Obiliqi, Rahoveci, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti./REL