Vendimi unanim për kryebashkiakun e Vorës

Me votim unanim KQZ vendosi t’i ndërpresë mandatit kryebashkiakut socialist të Vorës, Agim Kajmakut, pasi kishte fshehur ne formularin e dekriminalizimit një proces që drejtësia greke kishte nisur ndaj tij në vitin 2003 për transaksione me para të falsifikuara.

Përpara votimit, qëndrimi që do të mbanin anëtarët e KQZ u lexua qartë nga fjala e nënkryetarit Denar Biba.

Ai dhe 2 anëtare të tjerë u shprehen se Kajmaku ishte i pafajshëm, por theksuan se vendimi i Kuvendit që shoqëron ligjin e dekriminalizimit nuk lë hapësirë për vendim tjetër.

“Ai është i pafajshëm se ka vendim të formës së prerë të gjykatës që është i tille, por vendimi i Kuvendit nuk na lë asnjë rrugë tjetër.”

Pas Valdrin Pjetirt, Agim Kajmaku është i dyti kryebashkiak socialist i dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit, që preket nga ligji i dekriminalizimit.

Vendimi i KQZ i komunikohet kryeministrit, i cili duhet të njoftojë kreun e shtetit për vakancën e krijuar në bashkinë e Vorës.

Tani pritet që Presidenti të caktoje një datë për zgjedhjet e pjesshme në këtë bashki, nëse nuk do të veprojë si për  rastin e Shkodrës, duke mos nxjerrë një dekret për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme.

Tv Klan