Manja: Raste konkrete dhe denoncime brenda pak ditësh

Punonjësit e administratës shtetërore do të jenë nën vëzhgimin e një Drejtorie të re Anti-korrupsion që do të ketë përfaqësuesit e saj në 47 institucione që varen nga qeveria.

Vendimi që ka kaluar në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë duket në fakt se krijon një mekanizëm paralel me SPAK-un nga mënyra si do të funksionojë. Ministri i Drejtësisë paralajmëron se brenda pak ditëve do të ketë dhe denoncimet e para pas hetimeve që janë kryer.

“Do të kemi raste konkrete në ditët në vazhdim. Unë do ua komunikoj rastet konkrete të korrupsionit në institucionet shtetërore”.

Një vendim tjetër i qeverisë është dhe ai për marrëveshjet që do të nënshkruhen në mbledhjen e dy qeverive Shqipëri-Kosovë që do të zhvillohet në Durrës në fund të Nëntorit.

Mbledhja mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës do të mbahet në javën e fundit të Nëntorit, do të jetë mbledhja e 7 e përbashkët, gjatë së cilës do të bëhet rikalimi i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, bëhet fjalë për rreth 86 marrëveshja të lidhura gjatë kësaj periudhe. Takimi mes dy qeverive do të zhvillohet në qytetin e Durrësit”, u shpreh ministrja Olta Xhaçka.

Ministrja e Energjetikës që foli për miratimin e një projekti me një kompani zvicerane për edukimin e konsumatorëve për kursimin e energjisë siguron dhe njëherë se familjet shqiptare dhe bizneset e vogla do të jenë të mbrojtur nga kriza.

Ministrja e Mirëqenies Sociale lajmëroi per miratimin e një mekanizmi për raportimin e të dhënave për programet e mbrojtjes sociale, ekonomike dhe personave me aftësi ndryshe.

Tv Klan