Kryeministri, Ilir Meta e ka vlersuar sot punën e bërë nga Kolonel Edmond Koseni, të shkarkuar dy ditë më parë. Sipas kreut të ekzekutivit Kolonel Koseni ka bërë edhe gjëra të mira gjatë ushtrimit të detyrës së tij në drejtorinë e Elbasanit. Kur bëhet fjalë për shkelje sipas kryeministrit nuk bëhet fjalë për tolerime.

Ilir Meta: Lidhur me shkarkimin e ish-drejtorit të Policisë së Elbasnit, Z. Edmond Koseni, dëshiroj të ju njoftoj se menjëherë sapo kam marrë dijeni se ka patur një denoncim për keqtrajtim nga ana e tij, ndaj një shtetasi, i kam kërkuar ministrit të Rendit Publik, Z. Ilir Gjoni, të më sjellë propozimin për lirimin e tij nga detyra, pasi nuk është hera e parë që kemi patur probleme me Z. Koseni.

Ashtu sikurse pavarsisht nga këto që janë tërësisht të gabuara, nuk duhet të harrojmë se ai ka një kontribut të çmuar në goditjen e shumë prej bandave dhe kriminelëve më të kërkuar në vend.

Ndërkohë prokurori i çeshtjes është shprehur sot se Koseni nga ana e prokurorisë është duke u proceduar vetëm për rastin e fundit të dhunës, për të cilin janë siguruar prova. Firmosja e fletë arrestit nga Gjykata e Tiranës, është bërë sipas tij pasi vepra e kryer nga Koseni i kishte kaluar kushtet e flagrancës./tvklan.al