Policia e Elbasanit ka publikuar listën e sendeve të domosdoshme dhe atyre që nuk lejohen në ndeshjen e nesërme miqësore Shqipëri-Bosnjë Herzegovinë.
Sipas njoftimit për shtyp të policisë, të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet duhet të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti.
Ndërkohë, tifozët nuk duhet të kenë me vete sende të forta, shishe (të çfarëdolloji), fishekzjarre, monedha apo metale (të çfarëdolloji) si dhe çelësa të ndryshëm.
Policia paralajmëron se në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium.
Të gjitha lokalet që ndodhen, përreth Stadiumit, nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes do të jenë të mbyllura.
Duke nisur nga ora 16:00 e ditës së martë nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit .
Hyrja e sportëdashësve në Stadiumin “Elbasan Arena” do të fillojë në orën 16:00 ndërsa ndeshja nis në orën 18:00.
Në total 280 punonjës policie do të angazhohen në ndeshje./tvklan.al