Një modele 81-vjeçare ka marrë pjesë në një konkurs të Miss Universe si përpjekje për t’u bërë konkurrentja më e vjetër e eventit të bukurisë.

Choi Soon-hwa parakaloi në skenë e veshur me një fustan të bardhë me rruaza duke kënduar në një kompeticion muzikor të Miss Universe Korea në Seul. 81-vjeçares nuk iu dha kurora, por mori çmimin e “veshjes më të mirë”.

22-vjeçarja Han Ariel fitoi konkursin dhe do të konkurrojë  në Miss Universe në nëntor të këtij viti, në Mexico City.

Choi punonte në shërbimin shëndetësore përpara se të niste karrierën e modelingut rreth moshës 70-vjeçare. Ajo u shpall si një nga 32 finalistet e Miss Korea pak ditë më parë.

“Edhe në këtë moshë, kisha kurajën të kapesha pas një mundësie dhe të ndërmerrja një sfidë. Dua  që njerëzit të më shohin dhe të kuptojnë që mund të jetosh më shëndetshëm, të gjesh lumturinë në jetë kur gjen gjëra që dëshiron të bësh dhe të sfidosh veten për ta arritur atë ëndërr”, tha 81-vjeçarja për Associated Press.

Ky ishte viti i parë kur Choi mund të merrte pjesë pasi vitin e shkuar Miss Universe e kufizoi pjesëmarrjen duke lejuar vetëm konkurrente të moshës 18-28 vjeç.

Këtë vit kufizimi u hoq për ta bërë kompeticionin më modern dhe të larmishëm. Organizatorët hoqën konkursin e notit dhe kriteret për arsimin, gjatësinë dhe gjuhët e huaja për ta bërë kompeticionin më të hapur për gratë./tvklan.al