Një supertajfun do të përfshijë Tajvanin në orët e ardhshme. Gati 40,000 trupa ushtarake janë mobilizuar për të qenë në gatishmëri për operacionet e shpëtimit.

Dhjetëra fluturime u anuluan ndërsa shkollat janë mbyllur në gjashtë qytete dhe qarqe. Qyteti i madh port Kaohsiung pritet të goditet rëndë dhe për këtë arsye banorët bënë përgatitjet e fundit në pritje të këtij fenomeni.

“Ne kemi siguruar ushqime dhe kemi marrë pishtarë elektrikë në shtëpi, shpresoj që të mos ndërpritet energjia eletrike”.

Kryebashkiaku i Kaohsiung, Chen Chi-mai, duke folur me gazetarët pas një takimi për menaxhimin e fatkeqësive natyrore, tha se forca e këtij tajfuni ishte e barabartë me atë të tajfunit Thelma të vitit 1977, i cili vrau 37 njerëz dhe shkatërroi qytetin.

Tajfuni ‘Krathon’ parashikohet të godasë kryeqytetin të mërkurën pasdite, pastaj do të kalojë nëpër qendrën e Tajvanit dhe përfundon në verilindje.

Klan News