Ashtu siç paralajmëroi më herët, presidenti Ilir Meta zbuloi në intervistën me gazetarin Blendi Fevziu datën e zgjedhjet e pjesshme lokale.

Në rast se do të më duhet të dekretoj sot pas emisionit me ju do dekretoj 27 Shkurtin. Por nëse do duhet të shprehem nesër, do më duhet të dekretoj 6 Marsin“, tha Meta.

Ndërkohë pas konstatimit të Blendi Fevziut se anon më shumë për datën 6 Mars, Meta u përgjigj: Si shenjë dash unë anoj nga Marsi.

Pjesë nga intervista

Ilir Meta: Në rast se do të më duhet të dekretoj sot pas emisionit me ju do dekretoj 27 Shkurtin. Por nëse do duhet të shprehem nesër, do më duhet të dekretoj 6 Marsin.

Blendi Fevziu: Do e dekretoni sot apo nesër? T’ju mbaj pak më shkurt unë në intervistë që ta dekretoni sot?

Ilir Meta: Ne e dekretojmë  në pushim, ju bwni një reklamë!

Blendi Fevziu: Juve për cilën datë jeni?

Ilir Meta: Ka një hapësirë të caktuar dhe unë jam i disponuar për të dhënë kohën maksimale të afateve ligjore, 45 ditë në mënyrë që të ketë sa  më shumë kohë, por edhe të kalojmë sa më shumë të jetë e mundur këtë periudhën që është më e ftohtë e vitit sepse do bëhen edhe në Theth zgjedhje. Së dyti disponimi është që të krijojmë një mundësi, opozitës, apo atyre që nuk janë në qeveri që të kenë mundësi të përgatiten sa më shumë të jetë e mundur brenda këtyre kufijve. Kjo ka qenë arsyeja pse kam ftuar në një bisedë apo për të kërkuar mirëkuptimin më shumë të Zotit Balla si kryetar i grupit parlamentar të shumicës pasi kam dashur të evitoj debate të parëndësishme lidhur me çështje të datës nga ana e mazhorancës.

Blendi Fevziu: Çfarë diference bën një javë?

Ilir Meta: Pikërisht se nuk bën një diferencë kam kërkuar këtë mirëkuptim. 27 Shkurti normalisht duhet të ishte data, por nuk kemi pasur përgjigje deri pasdite nga Gjykata Kushtetuese për Lushnjen nga ana formale. Në mënyrë që t’i bëjmë të gjashta bashkitë.

Blendi Fevziu: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju ka dhënë vetem tre bashki?

Ilir Meta: KQZ më ka dhënë vetëm tre bashki që ka pasur informacion zyrtar, sepse nuk ka pasur informacion zyrtar nga ana e qeverisë për Durrësin, disa raste të tjera.

Blendi Fevziu: E di gjithë Shqipëria që Durrësi nuk ka kryetar Bashkie.

Ilir Meta: Unë kur i kam bërë kërkesën KQZ, për dijeni ia kam vendosur edhe Parlamentit, sepse aty janë forcat politike parlamentare edhe Qeverisë. Pasi kam marrë këtë përgjigje nga KQZ i jap drejtuar edhe Qeverisë e cila është treguar korrekte dhe ka dërguar tre bashkitë e tjera. Për Lushnjen nuk mjafton vetëm përgjigja e Qeverisë, por duhet përgjigja edhe e Gjykatës Kushtetuese.

Blendi Fevziu: Në sa zona do votojnë shqiptarët?

Ilir Meta: Në 6 bashki. Kjo ka qenë arsyeja se nuk shkonte që për 1 orë më shumë, më pak, të bënim 5 bashki dhe më vonë 1 bashki, sepse i njëjti institucion do i organizonte, KQZ. Konsulta bazë në këtë rast ka qenë KQZ dhe një kërkesë e zotit Celibashi që një javë më shumë na bën punë.

Blendi Fevziu: Jeni më i bindur të dekretoni datën 6 Mars?

Ilir Meta: Normale si shenja Dash, unë anoj nga Marsi.

Blendi Fevziu: Keni edhe ditëlindjen në Mars, në 6 Mars shqiptarët votojnë në 6 bashki. /tvklan.al