Disa nga vendet evropiane kanë nisur të detajojnë planet për rifillimin e jetës pas izolimit për shkak të koronavirusit.

Austria prezantoi sot një plan të detajuar për t’i dhënë fund izolimit duke rezultuar si vendi i parë në kontinent që po mendon për rikthimin e lirisë.

Ky shtet ka 220 të vdekur dhe 12 mijë të infektuar me Covid-19. Më 14 Prill austriakët do të hapin dyqanet e vogla kurse qendrat tregtare do hapen më 1 Maj.

Hotelet dhe restorantet do hapen në mes të muajit Maj. Megjithatë shkollat në Austri do jenë të mbyllura deri në mes të Majit dhe aktivitetet e mëdha publike do ndalohen deri në fund të Qershorit.

Danimarka planifikon po ashtu që të heqë kufizimet pas Pashkëve me 12 Prill, por kërkon nga njerëzit që të shmangin turmat në trena dhe autobusë.

Ndërkohë Gjermania synon të hapë se shpejti restorantet dhe dyqanet, por numri i personave që do të lejohen të hyjnë brenda do jetë i limituar.

Në Spanjë pritet që të rifillohet puna edhe në disa sektorë jo esencialë pas Pashkëve të 12 Prillit. Megjithatë zyrtarët e BE-se thonë se jeta nuk do kthehet në normalitet menjëherë dhe se masat shtrënguese do mbeten në fuqi edhe për disa javë të paktën.

Parashikime të tjera më pak optimiste theksojnë se liria në kontinentin evropian do të rikthehet në fund të Qershorit.

Klan Plus