Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas operacionit antidrogë të zhvilluar nga autoritetet policore këtë të premte në Has, ku u zbulua një laborator i përpunimit të heroinës.

Në një postim në Twitter, Rama shkruan se ky operacion është një provë e qartë e forcës së shtetit kundër krimit dhe kjo sipas tij është një betejë e cila do të vijojë pa kompromis.

“Në gjithë botën normale operacionet kundër krimit e drogës quhen sukses, në gjuhën e dëshpërimit opozitar ato quhen faje të qeverisë. Operacioni i sotëm është një tjetër provë e qartë force e shtetit kundër krimit,në vazhdën e një beteje që do të vijojë pa kompromis”.

Rreth 100 kilogramë heroinë u sekuestrua në laboratorin e përpunimit të lëndës narkotike të zbuluar në fshatin Brahog të Hasit. Droga ishte ndarë në pako dhe e futur në çanta të mëdha të zeza, gati për t’u transportuar.

Nuk ka ende një njoftim zyrtar nga policia, por mësohet se janë ndaluar 5 persona, ndërsa janë shoqëruar 8 të tjerë në komisariatin e Kukësit, të cilët po merren në pyetje. Burime zyrtare thonë se operacioni është në zhvillim e sipër, ndërsa po kryhen kontrolle në të gjithë zonën. /tvklan.al