Lajçak: Takimi Kurti-Vuçiç të ndodhë para verës



Lajçak: Takimi Kurti-Vuçiç të ndodhë para verës

09:39 05/03/2021

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun flet për vizitën në Ballkan

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak pret që bisedimet të vazhdojë pas formimit të institucioneve të reja në Kosovë. Ai tha për televizionin N1 se dialogu është kyç për normalizimin e marrëdhënieve, për rrugën europiane, por edhe për atmosferën normale midis Kosovës dhe Serbisë.

“Është e rëndësishme ta nënvizoj, askush nga aktorët që kam takuar në Kosovë dhe Serbi nuk ka pyetur nëse është i nevojshëm dialogu, ky është mesazhi kryesor,” tha diplomati sllovak.

I pyetur nëse i referohet më shumë dialogut teknik apo politik, Lajçak tha se nuk e sheh që ekzistojnë dy linja dialogu.

Lajçak tha se një nga qëllimet kryesore të vizitës së tij në rajon ishte takimi me udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili siç thotë ai mori një mandat të fuqishëm nga votuesit, dhe për të diskutuar vazhdimin e dialogut.

Përfaqësuesi i BE-së deklaron se Kurti nuk ishte i informuar për dialogun, ndaj është e rëndësishme që zyrtarit të Kosovës t’i jepet informacion i plotë.

“Ai është i gatshëm të vijë në Bruksel, të takohet me presidentin Vuçiç, dhe kjo duhet të ndodhë brenda një kohe të arsyeshme, pas formimit të institucioneve në Prishtinë”, u shpreh Lajçak.

I pyetur se sa është e sigurt që palët do të takohen në të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh që Kosova do të zgjedhë presidentin e ri pasi të formojë qeverinë, dhe në anën tjetër janë edhe zgjedhjet në Serbi, Lajçak tha se mori garanci nga Kurti se të gjitha këto çështje mund të zgjidhen relativisht shpejt.

“Unë mendoj se kemi hapësirë të mjaftueshme dhe pres që takimi i parë do të zhvillohet në një kohë të arsyeshme. Kjo mund të jetë e sigurt para verës,” tha ai.

Klan News







Të ngjashme