Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Lëvizja Socialiste për Integrim do të kërkojë të përfaqësohet në të gjitha nivelet e komisioneve të votimit. Gjatë mbledhjes së komitetit drejtues të LSI, kreu i saj Ilir Meta ka deklaruar, se PD dhe PS nuk kanë vullnet për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe për këtë arsye duke qenë se LSI është forca e 3-të më e madhe politike në vend, do të kërkojnë që të kenë përfaqësuesit e tyre në të gjitha komisionet e votimit, pasi në këtë mënyrë sipas Metës do të ketë një pasqyrim real të procesit zgjedhor.

Ilir Meta: “Kemi kërkuar dhe do të këmbëngulim në realizimin e një procesi transparent të numërimit të votave, pasi vetëm kështu, ai do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët dhe vetëm duke bërë një numërim të përqendruar dhe publik, në mënyrë transparente do të mund të evitohen jo vetëm ndryshimet e shumta, por edhe proceset gjyqësore të pa fund. Për ne realizimi i këtyre kërkesave, do të bëjë procesin të pakontestueshëm.”

Në fjalën e tij mbajtur përpara anëtarëve të komitetit drejtues, Meta ka kërkuar që të trajtohet më me transparencë ligji i legalizimeve, i cili po kthehet në pazarin e radhës mes PS dhe PD.

Ilir Meta: “Ne jemi për legalizimin e plotë të banesave që realisht do t’i bëjë banorët pronarë të ligjshëm të ndërtesave dhe të trojeve në një proces i cili ecën paralelisht me urbanizimin e plotë të këtyre zonave. Ne jemi të bindur se një zgjidhje e cila nuk respekton vullnetin e palëve të interesuara përbën veçse një zgjidhje të imponuar dhe nuk garanton në asnjë mënyrë zbatimin në praktik të ligjit.”

Meta gjithashtu kërkoi mbështetjen e të gjitha forcave politike për miratimin e projektligjit për konfliktin e interesave të propozuar nga grupi parlamentar i LSi./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka