Ligjet nisin diskutimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor

Ligjet nisin diskutimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor

12:56 27/10/2020

BE kërkoi të pritet opinioni i Komisionit të Venecias

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi i kërkoi Kuvendit të presë opinionin e Komisionit të Venecias para se të vendosë mbi fatin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Sipas tij, Parlamenti duhet të presë këtë këshillë nga Komisioni i Venecias.

Po pavarësisht thirrjes së tij, mazhoranca e majtë ka vendosur të vijojë pa humbur kohë me diskutimin e dekretit të Presidentit të Republikës me anë të të cilit ai ktheu për rishqyrtim këto ndryshime.

Komisioni i Ligjeve ka vendosur në rendin e ditës së mbledhjes së sotme shqyrtimin e këtij dekreti, ndërsa pritet që ajo të mos marrë parasysh argumentet e paraqitura nga Meta në relacionin shoqërues të tij.

Hedhjen poshtë të këtyre argumenteve dhe rrëzimin e dekretit e paralajmëroi një ditë më parë edhe vetë Kryeministri Edi Rama, i cili tha se nuk ka kohë për të humbur dhe se ndryshimet në Kod do të miratohen njësoj siç janë edhe në variantin e miratuar gati 3 javë më parë në Kuvend.

Presidenti Meta krahas dekretit i ka çuar edhe një kërkesë Komisionit të Venecias, ku i kërkon opinion juridik lidhur me kushtetueshmërinë e këtyre ndryshimeve që u miratuan pa pëlqimin e opozitës.  

Tv Klan





Të ngjashme