Rama: Fola me Varhelyi, “Venecian” e presim për zgjedhjet e ardhshme

Përsëritja e thirrjes së komisionerit Varhelyi për të pritur opinionin e “Venecias” është injoruar nga shumica e cila rrëzoi në Komisionin e Ligjeve dekretin e kreut të shtetit për kthimin për rishqyrtim të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Vetë Kryeministri pranon se ka patur edhe një bisedë telefonike me komisionerin për Zgjerimin, gjatë të cilës e ka sqaruar për arsyet përse do ta rivotojnë pa asnjë vonesë dhe pa asnjë ndryshim.

“Unë e kam sqaruar dhe komisionerin, që Parlamenti nuk do të presë asnjë sekondë dhe nuk ka asnjë mundësi që të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Meta që nuk do të përmirësojë Kodin por të sabotojë këtë proces. Komisioni i Venecias është i mirëpritur të sjellë kur të pjekë opinionin e vetë, ai do të diskutohet dhe do të mbetet për të adresuar çdo lloj çështje që të dalë përtej 25 Prillit. Nuk kemi kohë për të humbur, se strukturat e reja kanë nisur punën, kanë nevojë të kenë ligjin zgjedhor dhe kjo kërkon kohën e vetë. Madje është marrë një angazhim për identifikimin biometrik, koha është e pamundur”.

Rama përsërit akuzat ndaj Metës dhe qëllimet që sipas tij ka patur kur vendosi të kthejë për rishqyrtim ndryshimet në ligjin elektoral.

“Meta është lider absolut i një opozite të copëtuar dhe lider i  një partie të degraduar”.

Dekreti i Presidentit do të votohet në seancë e kësaj të enjte në Parlament.

Tv Klan