Kushdo që udhëton në drejtim të juglindjes, ndalon për në ballkonin e Qafë Thanës, fare pranë fshatit Lin.

Aty ku gjoli ,siç thonë pogradecarët futet drejt e në shtëpitë e vogla të fshatit që tashmë turizmin e shohin si pikën kryesore të zhvillimit të zonës.

700 banorë të fshatit Lin të Pogradecit kanë kthyer sytë nga turizmi si pikën kryesore të zhvillimit të zonës. Një shëtitje me varkë apo një qëndrim në bujtinat që kanë dalje direkt dhe në liqen, i japin një pamje tërheqëse çdo turisti vendas dhe të huaj që zgjedhin për të shijuar bukuritë e natyrës shqiptare.

Tashmë  bujtinat e vogla ku ndërthuret tradicionalja dhe modernia po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë.

Thoma Kratellari, pronar i bujtinës: Çmimet janë simbolike, vijnë shumë turistë, por shumica prej tyre janë ditor ose vizitor, dhe nuk qëndrojnë me ditë.

Janë më pak se 10 bujtina të ndërtuara në shtëpitë e këtij fshati, ku çdo ditë sheh grupe turistësh.

Një perlë sekrete të Europës, kështu e quajnë huajt fshatin mbi gadishullin në liqen.

Turisti: Ne jemi duke bërë një tur rreth vendeve pranë liqenit dhe Lini na pëlqeu shumë , është një nga vendet më të mirë rreth liqenit.  Kemi vizituar Pogradecin,Linin me pas do zhvendosemi në Maqedoni dhe Ohër. Në fakt Pogradeci është realisht një qytet i bukur, por Lini është një fshat romantik, prandaj ne pëlqejmë të qëndrojmë këtu. E dashurojmë këtë fshat dhe Shqipërinë. Njerëzit, ushqimi, natyra, mund të them ju jeni një perlë sekrete e Europës dhe uroj të vijnë sa më shumë turistë këtu.

Turistja: Është hera e dytë që vij në Lin, para dy vitesh kam ardhur me bashkëshortin dhe një grup miqsh nga Holanda për të bërë një tur përreth liqenit të Ohrit. Ndërsa këtë vit po bëjmë një tur nga Venecia, Greqia dhe Shqipëria,por Shqipëria qenka super vend, sidomos të udhëtosh me biçikletë. Fshati Lin qenka tradicional realisht shumë i bukur. Ushqimi, kultura historike, shtëpitë dhe njerëzit. Kur të shkoj në Holandë, do ju rekomandoj të gjithëve të vijën në Shqipëri.

Rruga e shkurtër e fshatit ndërthuret me rrugicat e kalldrëmta dhe  në fund të tyre gjen gjithnjë nga një varkë. Ndërsa  plakat me të zeza rrinë nën hijen e shtëpive të rrethuara nga lulet shumëngjyrëshe..Mbi dhjetëra vitesh në këtë fshat, ato ankohen se kanë problem me ujin e pijshëm.

Banorët: Kam këtu që kur kam lindur dhe deri tani, nuk kemi ujë, edhe pse turistë vijnë.

Dionisi Çorbaxhi, administrator: Problem mbeten kanalizimit e ujërave të bardha dhe të zeza, investimet e vogla janë bërë.

Megjithatë ajri i pastër, temperaturat të freskëta ,gjelbërimi dhe bukuria e liqenit, e bëjnë linin një nga fshatrat më të bukur të jugut të Shqipërisë. Aty ku historia është ende prezente dhe ngjall kureshtje për këdo që viziton Linin.

Sipër fshatit në kodër kërkimet arkeologjike kanë zbuluar një bazilikë të hershme kristiane me mozaikë të jashtëzakonshëm që nga shekulli i 4-5-të i erës sonë.

Rrënojat e kishës paleokristiane janë ende prezente.

Tv Klan